
Si është të jesh bartender?
ALBAN DOBRUNA
Nëse do e thoja me një fjali të vetme të jesh bartender është shumë e bukur dhe shumë e vështirë në të njëjtën kohë, profesion i cilësuar si nga më të bukurit në botë por ka shumë vështirësi dhe shumë punë për t'ja dal siç duhet. Rrugëtimi im ka nisur në kuzhinë me eksperienca në Shqipëri dhe Itali, të cilat më ndihmuan shumë të njoh më mirë produktet, si nga ana e shijes, përmbajtjes, aromave dhe se si të kombinoj produkte të ndryshme së bashku. Ekspriencë që më vlejti shumë edhe në miksologji.
Kështu nga kuzhina vendosa të zhvendosesha në bar, dhe në vitet 2007-2008 nisa të studioj më shumë rreth kësaj bote që duket kaq e ndërlikuar dhe kaq e pasur me njohuri, isha kurjoz të mësoja më shumë e sidomos mbi recetat e ndryshme. Dhe kohë pas kohe duke bërë çdo ditë progres marr pozicionin "Chef de Bar", dhe sigurisht nuk flas për të njëjtat kushte pune, por për orar 17:00-05:00 me paga minimale siç ishin pagat atëherë në treg. Informacioni ka qënë i kufizuar dhe duhet të tregoheshe shumë i shkathët dhe i zoti për të mësuar diçka të re, ndryshe me tani që aksesi i informcionit është për të gjithë i hapur.
Për tu përgjigjur pyetjes se si është të jsh Bartender, dua të shpjego se bartender nuk është një person që zbaton disa receta që i lexon diku, por është një profesionist që duhet të njoh shumë mirë gjithçka që qëndron në barin e tij dhe sigurisht të krijoj me to. Dhe diku këtu në vitin 2012 bashkohet me mua një moment krijimtarie, i cili merr emrin Eleonor, një coctail i krijuar dhe patentuar nga unë, i cili ka në përmbajtje gin, jasmine, cucumber dhe lime. Bëhet shumë famoz në atë kohë dhe filluan disa bare e përgatisnin, dërgo feedback-u nga klientët ishte i madh, po ndaj me ju një kurjozitet, Eleonor ka arritur të ketë shitje 10.000 copë në muaj. Sigurisht jam krenar për Eleonor dhe i lumtur në të njëjtën kohë që u përqafua në këtë formë nga konsumatorët.
Ndërkohë midis 2019-2021 kam pasur një eksperiencë kosulence në Kosovë, më duhet t'ju tregoj se s'ka qënë aspak e lehtë për mua të edukoje një treg të ri që ka një qasje tjetër. Ka qënë e vështirë të implementoja idetë dhe atë që dija të bëja, por kjo më ndihmoi që eksperiencat e mia të bëhen më të larmishme. Përtej Kosovës, zhvendosem edhe në Francë për trajnime dhe konsulencë, specifikisht në Lion. Ndërkohë kam vazhduar të jem pjesë e shkollave profesionale dhe të jem brand ambasador i "Black Eagle". Ju përshkrova gjithë këtë kalvar të historisë sime sado të madhe apo sado të vogël, për tu përgjigjur se po të bësh këtë punë është frymëzuese, krijuese dhe e bukur, por ka sfida, lodhje dhe përpjekje çdo ditë. Por për çdo njeri që ka pasion dhe ëndrra ka gjithmonë një vënd bosh në bar.