Që të mësosh për verën, duhet të dehesh në të!
LEONARD ZENELI
SOMMELIER
Njëherë një mik i imi me tha: "Që të mësosh për verën, duhet të dehesh në të" Kështu nisi dhe aventura ime si sommelier. Zakonisht e quaj veten si nje uncertified sommelier sepse kam akoma shumë për te mësuar... Dhe unë ashtu bëra. U "deha" në larmishmërinë e varieteteve të ndryshme autoktone shqiptare, ceruja, shesh i bardhë, shesh i zi, vlosh etj...
Sigurisht që zhvillimi i restoracionit në Shqipëri ka qënë shumë skeptik për të implementuar në restorantet e tyre verat shqiptare, me shumë pikë pyetje nëse janë në nivelin e duhur, me shumë pikëpyetje se si mund të kombinohen ato me produkte që vijnë nga jashtë vëndit, me dyshime për standartin e prodhimit të verës, për kushtet të cilat prodhohet, për origjinalitetin e verës, e plot faktorë të tjerë. Por me kalimin e kohës, me punët e mora nga kantinat dhe me promovimin e produktit në panaire europiane apo botërore, atëherë edhe ne gjetëm guximin për të hedhur sytë nga verat shqiptare. Realisht duke qenë se unë punoj me mbi 50 etiketa shqiptare, mund të them pa frikë se Shqipëria po ecen me një hap galopant drejt kualitetit të prodhimit vit pas viti. Duke u nisur nga kjo, verat shqiptare jane mëse te kualifikuara të përdoren në nje restorant të mirëfilltë fine dining.
Dhe është shumë e pëlqyeshme, veçanërisht nga të huajt, të cilët mbeten gojëhapur nga paraqitja e këtyre verave, si në shije trup aromë e me radhë. Sigurisht që vlen të themi që është shumë herë një kombinim i goditur midis produkteve lokale, ashtu si një nga ligjen e kombinimit të verës thotë: "Local food, local wine", sigurisht që vlen për produktet të cilat prodhohen nga i njëjti vënd pasi "terroir" i ndihmon të kenë tipare të përbashkëta. Të cilat kanë histori të ndryshme dhe karakteristika të ndryshme. Të bëhesh një me verën do të thotë të bëhesh jehonë e një shpirti të mbyllur në një shishe. Prandaj unë dua t'i jap zë verave autoktone shqiptare sepse vërtetë ja vlen te pini verë me kualitetin e duhur dhe shijen që ju përshtatet. Jam krenar që punoj me kultivare shqiptarë të cilët e kanë rritur kualitetin dhe vlerën e verave shqiptare.