Na fal, Shqipëri, ne dështuam…

ARTA SINO
HOTELIER

V

Vera, ky sezon që pritet me aq dëshirë nga të gjithë. Për të punuar fort dhe për të pushuar. Vitet e fundit, Shqipëria u shndërrua në një trend botëror, ku përveç bukurive natyrore, u dallua për mikpritjen ndaj turistëve. Si çdo herë, ne filluam përgatitjet për sezonin… për t'ju rikujtuar, përgatitjet e sezonit nisin me investime në hotele, bare, restorante dhe çdo facilitet tjetër që ofrojmë. Rekrutojmë stafin dhe i trajnojmë ata për të sjellë shërbimin perfekt për turistët. Por këtë herë, kjo nuk ndodhi kurrë. Ne u përgatitëm, por jo për të shërbyer më mirë, por për të fituar më shumë, sa më shpejt.

Ne ulëm cilësinë dhe u bëmë arrogantë. Në vend që të bashkëpunonim dhe të krijonim partneritete, ne kopjuam njëri-tjetrin, me synimin për t'u sfiduar e konkurruar. E filluam sezonin me mendjen tek përfitimet, pa menduar se dikujt po i shkatërronim pushimet. E kështu nisi ky sezon, dhe në të njëjtën monedhë u shpërblyem. Ne hapëm dyert e shtëpive tona për grupe djemsh e vajzash me çmime qesharake, sepse nuk paguajmë taksa dhe mjafton të fitojmë sado pak. Promovuam kioskat e byrektoreve dhe qofteve në vend të restoranteve, sepse ishin më të lira. "Vetëm hajdeni, turistë të dashur, gjithçka e keni lirë," thoshim. Pa shumë shpenzime...Nga paaftësia, promovuam Shqipërinë tonë të bukur si një destinacion të lirë. Nga paaftësia për të ofruar shërbime profesionale, pasi kërkojmë të rikuperojmë investimet për 3 muaj, prodhuam një sezon turistik të dështuar. Po, është e vërtetë që kishte turistë, por jo familjarë, jo ato grupet e bukura që mbushnin qytetet, por të rinj të alkolizuar që sollën dëme dhe ulën imazhin tonë. Ne ishim shumë lart, por jemi një popull dembel. Kërkojmë të kemi të ardhura nga kafenetë.

Nuk trajnohemi, nuk shkollohemi, dhe nuk edukohemi. Për sa kohë do të ketë biznese amatore në treg, promovimi ynë turistik do të tërheqë vetëm turistë që vijnë me bukë me vete.

Ky shkrim është shumë i fuqishëm dhe i drejtpërdrejtë sepse pasqyron një kritikë ndaj një çështjeje që prek turizmin dhe mikpritjen, dy nga shtyllat kryesore të ekonomisë së Shqipërisë. Tregon një ndjeshmëri dhe vetëdije për problemet që po dëmtojnë imazhin e vendit dhe sfidat që vijnë nga paaftësia për të ruajtur standardet dhe cilësinë. Përmban një kritikë të rëndësishme dhe një apel për vetëdijesim.