Kuzhina nuk është vetëm një profesion, duhet të jetosh me të!

BENARD KONESHA
EXECUTIVE CHEF

N

Në një moshë aq të re si 15 vjeç, erdhi momenti për të bërë një hap të rëndësishëm, për të zgjedhur rrugën time të arsimit. Është e çuditshme se si në një moshë të tillë na duhet të marrim vendime të cilat do na shoqërojnë gjithë jetën, ashtu siç është dhe profesioni. Ishte dita kur dërgova aplikim në shkollën e ekonomikut, por gjithashtu më dhanë aprovimin për regjistrim në shkollën profesionale të hotelerisë dhe turizmit.

Dy ditë para se të fillonte cikli shkollor, kisha parë një film lidhur me kuzhinën, që gati gati më kishte hipnotizuar, adrenalina, zjarr, pasioni dhe përkushtimi i një ekipi për të krijuar punë të shkëlqyera. Në atë moment, e dija se duhet të isha aty. Kisha një parandjenjë se kjo do të ishte rruga ime. Kështu konsultohem me familjen time se si mund ta ktheja këtë film në historinë time, dhe më orjentuan të arsimohesha në hoteleri-turizëm. Duke filluar në shkollën e kuzhinës ishte si të hapja një botë të re. Gjithçka ishte e shpejtë, isha i fokusuar dhe i dashuruar plotësisht me këtë botë. Praktikat në kuzhinë isha i pari që shkonte dhe i fundit që largohej. Për tre vjet, punova në kuzhina të ndryshme, duke mësuar dhe eksploruar pa pritur pagesë.

Gjithmonë ëndërrova që të isha si ata që më mësonin. Dhe nuk mendoja asnjëherë se kjo punë do më lodhte, se do punoja shumë orë, dhe mësova gjithashtu mos të ankohem, përtej faktit që çdo profesionist që punon në kuzhinë është gjithë kohës i uritur. Në moshën 22 vjeçare, mu dha pozicioni i sous chef në një restorant të mirë në Tiranë. Ishte një privilegj i madh por edhe një përgjegjësi e rëndë. Nuk njihja orare, jeta ime ishte e fokusuar vetëm tek detyra. Por pozicioni i sous chef ishte ai që kërkonte kontroll të përsosur, menaxhim të stafit dhe menaxhim personal të dy jetëve të mia. Edhe pse bëja gabime, vendosja ime në punë nuk u shua. Më në fund, arrita pozicionin e shefit ekzekutiv në një resort me 5 yje. Fokusimi im, përkushtimi dhe dashuria për këtë punë janë ato që më shoqërojnë gjithë kohën.

Gjetja e identitetit të restorantit, ndërtimi i konceptit dhe puna me ekipin janë elementet që më bëjnë të ndryshoj nga të tjerët. Patjetër që duhet punë, përkushtim dhe shumë fokus, por mendoj që suksesi i një chefi kuzhine është kur besojnë të ai. Njerzit, qofshin ata klientë, ekipi, investitori apo vetë familja jote, janë ata që të bëjnë të suksesshëm, ata që besoj tek ty. Sigurisht që tregu është bërë i egër, dhe të gjithë vrapojmë për të sjell më të mirën, e brënda kësaj lufte dukshëm ka dhe abuzime, duke filluar që nga produktet bazë e deri te menaxhimi i burimeve njerëzore.

Dhe ndoshta këtu duhet të ndalojmë, tek mënyra se si trajtojmë njëri-tjetrin, dhe më besoni e gjithë energjia e një ekipi duket shumë qartë në një pjatë. Për mua, ekipi është thelbësor, ata janë unë.

"Për mua, nuk ka shef të madh pa një ekip të madh." - Daniel Boulud