Gatuaj me zemër, shërbe me pasion!

SENAD PERFATI
CHEF

U

Unë jam Senad Perfati, jam 32 vjeç. Pas gati 7 viteve eksperiencë në kuzhinë erdhi momenti i krijimit te brand-it Idromeno Restaurant by Senad Perfati. I vendosur në zemër të qytetit të Shkodrës, në një pozicioni strategjik e të favorshëm, duke mbartur emrin e një prej artistëve më të mëdhenj shkodran Kole Idromeno, po sjellim një përzierje interesante të kuzhinave të ndryshme, me copëza të traditës sonë të pasur duke përdorur teknika të reja gatimi. Dhe sigurisht pyetja e çdokujt në këtë rrjesht do ishte: Po pse një djalë i ri dëshiron të gatuaj dhe të përcjell traditën?

Pse një djalë i ri do duhet të kthehet pas në kohë kur të rinjtë sot dëshirojnë të mësojnë të përgatisin sushi, të shërbejnë oysters dhe caviar? Do doja ti përgjigjesha kësaj pyetje: Por nëse të gjithë ne do shikojmë të shërbejmë pjata që nuk i ka pasur Shqipëria traditë, çfarë do ndodhte me traditën, a do përcillej ajo brez pas brezi? Çfarë do ndodhte me produktet vendase, ku duke mbështetur traditën, mbështesim dhe shumë fermerë të vegjël duke blerë produktet e tyre mbushur plot përkushtim dhe dashuri. Çfarë do ndodhte me ata klient që e duan tradiocionalen dhe herë pas herë dëshirojnë të frekuentojnë restorante të tilla. Dhe e fundit çfarë do ndodhte me turistës që vijnë për të provuar Shqipërinë, për ta parë atë, për ta prekur dhe për ta shijuar. Ndaj duke i menduar të gjitha këto kam vendosur të jem me zemër në traditë dhe me mëndje në inovacion.

Rrugëtimi deri këtu nuk ka qënë i lehtë, por pasioni për kuzhinën, orët e gjata të punës, natyra ime strikte dhe gjithmonë kërkues ndaj vetes më ka ndihmuar për t’i kaluar sfidat që i dalin para një chef-i të ri. E plot herë si të gjithë kam menduar të dorëzohem, e shumë herë mes fluksit dhe presionit të faturave kam menduar se kjo është dita e fundit, por kur zgjohesh të nesërmen kujtohesh pse e ke zgjedh këtë profesion dhe lan sytë dhe nisesh përsëri për punë, se puna në gastronomi i ka të gjitha bashkë, edhe momentet e bukura, edhe momentet e vështira. Suksesi ka ardhur gradualisht duke punuar shumë çdo ditë, duke qëndruar në kontakt me trendet dhe teknikat e reja të gatimit, duke eksperimentuar dhe investuar në kuzhinën time. Perfeksioni nuk ekziston. Si chef kuzhine, filozofia ime është e thjeshtë: Gatuaj me zemër, shërbe me pasion. Çdo pjatë që del nga kuzhina është reflektim i angazhimit tonë për përsosmëri.