Çfarë duhet të di një Sommelier?
IRDI LUSHI
SOMMELIER
Emri im është Irdi, dhe kam fituar titullin e Sommelier më të mirë në Shqipëri në vitin 2019. Kam qasjen e pothuajse një dekade në botën e sommelieris. Ky profesion është dashuria ime, dhe unë jam i entuziazmuar për konkursin e sommelieris, pasionuar për botën e verës, dhe gati për të udhëtuar nëpër vreshta dhe kantina të ndryshme. Ndjehem i privilegjuar që kam mundësinë të eksploroj botën e verës dhe të shijoj verera të ndryshme. Gjithashtu, si sommelier, kam pasur mundësinë të jem i mirëpritur në vende të ndryshme, ku shumë njerëz nuk kanë mundësinë të shkojnë, dhe kam krijuar shumë miqësi. Jam mirenjohës për këtë përvojë.
Në fillimet e rrugëtimit tim, mbaj mend se si mahnitesha nga dija e profesorëve të mi gjatë leksioneve dhe seminareve që merrja pjesë. Fitimi i konkursit kombëtar të sommelieris në vitin 2019 më bëri të kuptoj një gjë shumë të rëndësishme: bota e verës është e pafundme dhe ndryshon çdo minutë, orë dhe ditë. Akoma ndihem si ai djalë i ri 18-vjeçar që sapo nisi udhëtimin si sommelier. Për të qenë një sommelier i mirë, duhet të kesh shumë cilësi, por më e rëndësishmja është të duash njerëzit dhe të kesh një lidhje të veçantë me ta. Nëse i sheh njerëzit vetëm si klientë, asnjëherë nuk do të bëhesh një sommelier i mirë. Në jetën e sommelierit, do të takosh klientë të ndryshëm, nga konservativët dhe të pasigurtët, deri te aventurierët dhe ndonjëherë edhe njerëzit me sjellje të papërshtatshme. Për të qenë efektiv, duhet të kuptosh klientin dhe të ndihmosh ata të gjejnë verën e duhur për ta. Duhet të fitosh besimin e tyre dhe t'i edukosh, pa i bërë ata të ndihen të poshtëruar apo të fyer.
Një tjetër gjë që duhet ta dish për të qenë një sommelier i mirë është që nuk duhet të ndihesh më i mirë se të tjerët. Duhet të mbash kuriozitetin dhe dëshirën për të mësuar si një fëmijë që vëre çdo gjë që shikon me sy. Nuk mund të bëhesh një sommelier i mirë vetëm duke veshur një kostum të bukur dhe duke rrëmbyer verën në gote. Për të bërë një sommelier të suksesshëm, duhet të sakrifikosh orë të tëra çdo ditë duke lexuar, studiuar, testuar, dhe duke nxjerrë përfundime për çdo verë, çdo zonë dhe çdo varietet rrushi. Kur një sommelier nuhat një gote verë dhe dallon aromat e saj, duhet të fillojë menjëherë të analizojë çdo faktor që ka ndikuar në prodhimin e kësaj arome dhe të mendohet për zhvillimin e mundshëm të asaj vere në të ardhmen. Për të qenë një sommelier i mirë, duhet të mbash pasionin për bukurinë, për jetën dhe për vlerat e verës.
Pra, të qenë një sommelier i mirë nuk është thjesht një titull që fitohet, por është një rrugëtim i vazhdueshëm për të mësuar dhe për të pasur njohuri të thella. Prandaj, nuk duhet kurrë të thuhet: "mjaft, tani ia arrita."