Avantazhet dhe disavantazhet e sezonit në Jug
FLUGENA FUSHA
HOTELIER
Jugu, përveç se një destinacion i lakmuar për turistët është edhe një nga destinacionet e punojësve të hotelerisë. Vitet e fundit të gjithë e kemi ndjerë krizën për burimet njerëzore. Përveç emigrimit të të rinjve, mendoj që ka ndikuar dhe menaxhimi i burimeve njerëzore. Nuk mund të mohojmë dhe faktin që punonjësit potencial nuk po e preferojnë më jugun por duan te jenë të qetë në një punë më stabël për shumë arsye. Shpesh hasemi me ankesa përsa i përket performancës dhe pakënaqësisë së klientëve por duhet analizuar më mirë situata.
Dua të ndalem pak te avantazhet dhe disavantazhet e punës në jug. Mos të harrojmë faktin që Shqipëria është një treg i vogël dhe informacioni qarkullon në kohë të shpejtë dhe të shkurtër. Punonjësit marrin sugjerime/rekomandime nga njëri- tjetri dhe shprehen për ndjesitë e tyre (shpesh të sinqerta). Jam e bindur që kur një person konsideron mundesitë për të punuar në jug të parat që mendojnë janë avantazhet. Është e vërtetë që jugu ofron paga më të larta dhe është një mundësi e mirë për të mbledhur një sasi të konsiderueshme monetare brenda një afati të shkurtër kohor.
Por, çfarë ndodh pasi përballen me realitetin? Atëherë disavantazhet zbehin avantazhet dhe kjo sjell pakënaqësitë e tre palëve (punonjës – epror – klientë). E kuptoj që e drejta e punës në sezon është e vështirë të zbatohet plotësisht por, besoj se mund të gjëndet një rrugë e mesme. Para se të ankohemi pse nuk po gjejmë staf , le të kthehemi pas në kohë dhe të marrim në konsideratë: pse stafi që kishim ngeli i pakënaqur? A i marrim mjaftueshëm në konsideratë kënaqësitë dhe pakënaqësitë e stafit? - Sa orë punon stafi ynë? - Çfarë kërkesash kemi kundrejtë stafit? - Sa ju plotësohen kushtet? - Akomodimi, ushqimi, vendpushimi janë në nivelet e duhura? - Sa energji harxhon secili gjatë një dite pune?
Fjetina nuk duhet të jetë thjeshtë një vend sa për të bërë gjumin siç dëgjojmë shpesh nëpër kontenier apo në dhoma me minimum 4 persona në pak metra katror pa sistem ftohës.Çfarë performance presim nga një punonjës i cili nuk fle mirë dhe zgjohet i djeresitur, i nervozuar dhe shpesh lahen me ujë të ftohtë dhe uniformën nuk e gjejnë gati dhe kështu duhet të paraqiten në punë të kuruar në detaje dhe me një buzëqeshje të montuar. Një sanitare, të mos e mbajmë më shumë se 8 orë në pune sepse nuk ka më produktivitet, është e lodhshme. Aq më shumë duke marrë parasysh që janë zonja në moshë të konsiderueshme dhe kanë dobësitë e tyre fizike. Recepsionistin të mos e lëvizim nga recepsioni duke i deleguar punë qe nuk i takojnë. Një kamarier restoranti punon minimumi 12 orë në ditë dhe të tre vaktet janë me fluks pune pa asnjë ditë pushimi. Sa gjatë do rezistoj ky punonjës duke dhënë performancë të mirë? Dhe mbi të gjitha, sa i kënaqur largohet ky punonjës?
Dhe në fund a percillet në mënyren e duhur apo largohet gjithë mllef dhe inat? Unë mendoj që marketingu më i mire i një subjekti është nga vet stafi dhe aftësia e një menaxheri matet nga feedback-u i stafit dhe klientit. Një punonjës i kenaqur rikthehet dhe jo i vetem por me te tjerë që ka ndarë eksperiencën e tij. Kështu që nuk mjafton vetëm paga e kënaqshme sepse pesë muaj nuk është periudhe e shkurtër. Nëse nuk arrijmë dot të rekrutojme staf në momentin e duhur do të përfundojmë duke rekrutuar këdo që ofrohet të punojë, pavarësisht se është pa experiencë dhe pa edukatën e punës dhe kështu do të futet në aksion pa u adabtuar fillimisht me punën. Mos të flasim për periudhën e provës sepse konsiderohet si luks në fluks për shkak të rrethanave. Kështu që ky staf do të shfaq imazhin e gabuar te klienti duke mos qenë i përgatitur siç duhet dhe duke mos u përshtatur me standartin që struktura kërkon dhe më pas kjo sjell zhgënjimin. Po ashtu me shumë rëndësi është trajnimi dhe monitorimi i stafit nga trajnues profesionist duke e përmirësuar dukshëm performancën e stafit dhe duke e lehtësuar punën dukshëm për stafin menaxhues dhe ekzekutuesit.
E gjitha kjo varet tek objektivat edhe synimet e çdo biznesi. Nëse është një ndërmarrje që ka investuar shuma të konsiderueshme parash domosdoshmërisht qellimi duhet të jetë afatgjatë. Strategjia më e volitshme është përqëndrimi dhe menaxhimi i stafit. Por në klimën e industrisë së mikpritjes momentalisht është tepër e veshtirë sepse menaxhimi bëhet nga “profesionist” ose administrues të pa trajnuar (gjithmonë flitet per biznese të mesme ose të mëdha). Kjo sjell si pasojë produktivitet dhe perfomancë të dobët. Nga eksperiencat personale shumë pak hotele apo restorante ofrojnë kushte të mira për punonjësit, që realisht i japin përparësi dhe rëndësinë e duhur dhe të dyja palët (punonjës – epror) janë korrekt me njëri-tjetrin. Si hoteliere nuk do isha kurrë e qetë dhe e kënaqur nëse stafi im nuk do ndjehej mirë në vendin ku punon dhe punën që bën .Shpesh menaxherët dhe eproret harrojnë që stafi është motorri kryesor i strukturës. Një kapiten nuk mund të drejtoj anijen pa ekuipazhin e tij, përndryshe nuk do jemi më dirigjent të punonjësve por do të n’a duhet të futemi vetë në aksion duke zëvendësuar stafin e munguar.
1 Comment
Comments are closed.
Drita Guga
Flugena shefja me e mire qe kam pasur☺️❤️