Kemi turistë? Nuk kemi turistë?

ERALD DRANGU
Assistant Food & Beverage Manager

K

Kjo është pyetja që dëgjohet më shpesh këtë sezon veror dhe ky është shqetësimi i vetem i pronarëve të hoteleve dhe restoranteve. A duhet te jetë ky shqetësimi i vetëm? Ndoshta i vetmi problem i këtij sezoni? Kushdo që është pjesë e Hotelerisë e kupton që nuk është ky problemi. Gjatë 2023 Shqipëria pati një bum të vërtetë turistësh sidomos gjatë sezonit veror dhe si pasojë askush nuk mendoi si të trajnojnë stafin për një shërbim më cilesor por thjeshtë menduan të rrisin çmimet. Bumi i turistëve nuk ndodhi për arsyen që ne jemi një destinacion por pasi u zbulua një parajsë e vogel në mes të Europës, kurjoziteti për të vizituar një vend që askush nuk e vendoste në "bucket list", kurjozitet për të vizituar dhe për tu njohur me kulturën dhe historinë e një vendi që deri pak vite më parë ishte i panjohur.

Arsyet që një turist shkon të vizitojë një vend janë disa: 1-Bukuritë e falura nga natyra 2-Historia 3-Kulinaria 4-Shërbimi (Mikpritja) 5-Çmimet

Këto 5 pika janë të lidhura fort me njëra-tjetrën për të bërë të mundur që turistët ta mendojnë Shqipërine si një destinacion, dhe nuk po flasim vetëm per turistët e huaj por edhe për Shqiptarët. 1-Relievi - kemi fatin që kemi një linjë bregdetare fantastike me 2 dete dhe kemi Alpe fantastike. 2-Historia- Shqipëria ka një histori që është mijëra vjeçare por paradoksi që ndodh është që Kalatë kthehen në restorante dhe sa pak është bërë në këtë drejtim, për fat kemi Beratin, Gjirokastrën dhe Butrintin por që Shqipëria ka shumë më shumë se kaq dhe është një faktor kyç në turizëm pasi një pjesë e madhe e turistëve kur vizitojnë një vend të huaj kërkojnë të dijnë dhe për historinë e vendit që po vizitojnë. 3-Kulinaria - sot shikojmë investine të mëdha në Restorante apo Hotele por çfarë menu-je ofrohet? Pothuajse 99% e Restoranteve dhe Hoteleve të reja në bregdet dhe jo vetëm, duket sikur kanë të njëjtin Chef Kuzhine, të njëjtat antipasta të njëjtat sallata, të njëjtat pasta dhe trendi më i ri i menu-së së mishit që duket si një fotokopje ne çdo restorant. Askush nuk mendon të vendos në menu një gatim tradicional që janë të larmishme në kuzhinën shqiptare, besoj që një turist do kishte më shumë deshirë dhe kuriozitet të konsumonte një pjatë tipike shqiptare se sa një Tomahawk qe mund ta gjej kudo nëpër botë. 4-Shërbimi- një ndër pikat më të dobëta. Shërbimi është i lidhur fort me turizmin. Problemi në këtë sektor është kaq i madh sa që nuk pritet të rregullohet me një trajnim të thjeshtë. Ndryshimi duhet të filloj me mikpritjen, sado keq të shërbej një kamarier në ka komunikim shumë të mirë dhe një sjellje që të bën të ndjehesh komod ateherë dhe detajet nuk do vihen re nga turistet, të cilët mbi çdo gjë kanë nevojë të ndjehen të mikpritur dhe komod, një buzëqeshje nga stafi vlen më shumë se çdo gjë tjetër. Fillon që nga pronarët dhe mënyra se si e edukojnë stafin e tyre. Stafi edukohet në mënyrën e gabuar, nuk trajnohet mbi bazat e mikpritjes dhe të mirësjelljes dhe kjo gjë reflektohet në shërbim pasi shpesh herë shikojmë kamarierë të acaruar gjatë shërbimit. Duhet të kuptojmë benefitet që na sjellin turistët , të ardhurat dhe më e rëndësishmja të kuptojmë që punojmë në sektorin e shërbimit dhe jemi në këtë fushë që me anë të punës sonë të bëjmë të mundur që kushdo vjen në restorantin ose në hotelin që punojmë të marr një shërbim të shkëlqyer ose të mundohemi të bëjmë maksimumin. 5-Çmimet - çmimet gjatë sezonit veror në bregdet nuk reflektojnë realitetin shqiptar, cilësinë dhe shërbimin që ofrohet. Abuzimet me çmimet e Shezlongëve, Retoranteve, Hoteleve është i lartë.

Atëherë përse një turist i huaj ose shqiptarë duhet të kaloj pushimet në Shqipëri duke parë abuzimet me çmimet, mungesë të identitetit në pjatat që shërbejmë dhe për më tepër një shërbim që është në një nivel tepër të ulët. Duhet të reflektojmë! Duhet të kuptojmë që një shërbim dhe një mikpritje e mirë është 60% e punës. Trajtoni turistët si mysafir ose si miq në shtepinë tuaj dhe jepuni mikpritjen që të gjithë ne duam. Kemi një potencial shumë të madh në industrinë e turizmit dhe këtë gjë do duhet ta shfrytëzojmë.