Kush ka të drejtë?
MARSELA MONE
MANAGER
Më mirë qëndroj në shtëpi se sa të punoj me këto rroga minimale. E pse duhet të jap maksimumin në punë kur më paguajnë pak? “Biznesi më shfrytëzon”, ku më paguajnë jo aq sa meritoj. Këto janë vetëm disa nga ankesat që thuhen nga punonjësit kryesisht të punësuar në sektorin e shërbimit. A kanë të drejtë? Gjithesecili prej nesh mund të jap opinionin personal bazuar edhe nga eksperienca personale. Por sa korrekt dhe i mirë argumentuar mund të jetë mendimi ynë për këtë situatë? A mund të bëjmë një reflektim me veten? Çfarë ofrojë unë si pjesë e biznesit? A jam unë faktor që ndikon në përmirësimin e shërbimit në biznesin ku unë punoj? Çfarë mund të bëj më tepër? A dijmë ne të kërkojmë të vlerësohemi më tepër kur mendojmë se shpërblehemi jo mjaftueshëm?
Po e nis nga vetja, long story short; Kam filluar si shitëse dhe aktualisht punojë në nivel menaxherial. Kam kuptuar që për të arritur objektivat e mia personale duhet të punoj shumë, vërtetë shumë. Pa u ankuar dhe pa pritur të më tregojnë se çfarë duhet të bëj. Duhet të tregoj që unë jam një aset për biznesin që ia vlen të investohet. Gjatë këtij proçesi, unë jo vetëm ja kam dal mbanë të jem pjesë e rëndësishme e biznesit ku punoj, por edhe kam skalitur aftësitë e mia dhe kam fituar aftësi që më kanë rritur profesionalisht. Për pyetjet e lart përmendura ka një proçes akoma edhe më të vështirë në dhënien e përgjigjes. Duhet të jemi objektiv dhe koherent për produktivitetin e punës sonë. Si mund të matim rëndësinë dhe ecurinë tonë në punë? Sa na ndihmon përmbushja e objektivave të një biznesi në përmbushjen e objektivave tona?
Për të dyja palët Biznes-Punëtor ka vend për përmirësim. Të punësuarit duhet të kenë parësore të përmbushin kërkesat që vendos biznesi në mënyrën më profesionale të mundshme dhe biznesi duhet të arrijë të kuptojë nevojat e punonjësve dhe të bashkëpunojë në rritje të motivacionit të tyre. Realizimi maksimal i këtyre pikave përmirëson cilësinë e shërbimit. Ekuacioni me 3 element Biznes-Punëtor-Klient arrin një barazim të kënaqshëm. Biznesi plotëson nevojat e punëtorëve- punëtori i kënaqur përmbush më së miri kërkesat e biznesit dhe klienti është ai që përfiton më shumë në plotësimin e nevojë- kërkesë. Klienti merr një shërbim cilësor dhe benefitet për biznesin janë të panumërta. A ka një përgjigje të drejtë për palet Biznes-Punëtor se kush e fiton debatin? Në vend që të presim për një përgjigje se kush ka të drejtë për çfarë, mund të fillojmë të punojmë fort dhe drejtë në realizimin e qëllimit tonë duke realizuar me përpikmëri objektivat e vendosur duke respektuar kufijtë e shëndetshëm .Nuk jam vetëm unë që kam kërkesa dhe aspirata ndaj vetes, me të cilat punoj çdo ditë për tu përmirësuar dhe për të shkuar më larg.
Ka shumë elementë të cilët na tregojnë sesi mund të arrihet çdo ditë suksesi dhe për këtë ka ende shpresë për këdo që dëshiron të përmbushet ndoshta jo në masën që presim, por me përpjekje reale dhe objektive. Shoh dëshirë te stafi me të cilët punoj që duan të rriten profesionalisht dhe nuk hezitojnë të mësojnë. Punojmë në grup për të kuptuar vështirësitë dhe gjithashtu të përmirësojmë cilësinë në shërbim. Dhe ky është suksesi që përballemi çdo ditë!! Kur ti ke dëshirë, zgjon tek vetja suksesin . Kur ti punon fort çdo ditë e realizon atë !