Vera, ky lëng magjik!

ELTON MIHALÇKA
SALES MANAGER

P

Puna për shumë vite si menaxher shitje në biznesin e "wine & spirits" më ka berë dëshmitar të zhvillimit të tregut në Shqipëri, të shijes dhe dëshirave të admiruesve të kësaj pijeje magjike. Ky zhvillim ka nisur me pak prodhime të vendit dhe pak lloje bazike, kryesisht të Italisë, deri në një vërshim të prodhimeve të të gjithë zonave më të famshme të Evropës. Sot kemi në treg kantinat më të mira të Francës, Italisë, Spanjës, Greqisë, Portugalisë dhe Kontinentit Amerikan, por edhe produkte shqiptare. Kjo falë pasionit të disa njerëzve të përfshirë në këtë biznes që, megjithë vështirësitë e shumta të tregut tonë, e kane çuar më larg këtë pasion. Këtu sigurisht kanë një rol të madh të gjithë ata djem e vajza të apasionuar që punojnë në sektorin e shërbimeve, mënyrave të reja të marketuingut dhe trajnimeve të profesionistëve. Sigurisht që është dashur kohë të shkojmë në nivelet e sotme dhe është punuar nga të dyja palët shumë, dhe nga ata që furnizojnë dhe nga ata që furnizohen. Shpesh përshtatemi me kërkesat dhe shijet e klientit dhe harrojmë të sugjerojmë e mbi të gjitha harrojmë të edukojmë, pasi kemi një rol shumë të rëndësishëm me klientin, në njohjen e tij me produkte të reja, ndoshta edhe për të provuar vera apo varietete që ka menduar se nuk i përshtaten, duke eksploruar dhe edukuar edhe klienti do jetë i gatshëm në vazhdim të ketë qase të tjera ndaj verës. Sigurisht që marrëdhënia ime me verën është e veçantë, ndaj dhe zgjodha të flas për të, por kam një marrëdhënie të ngushtë gjithashtu edhe me Armagnac.

Armagnac vs Cognac.

Lidhja ime me Armagnac është më e hershme se lidhja me verën, në 1997 - 1998. Për francezët, Armagnac është më i preferuar dhe më i konsumuar se sa Cognac. Prodhohet në Armagnac, në zonën e Gascony dhe përftohet nga distilimi i verës së bardhë nga një përzierje varietetesh rrushi, duke u vjetëruar në fuçi druri. Sigurisht, që të tregtosh Armagnac në Shqipëri, nuk është e lehtë, sepse tregu është i prirur drejt prodhimeve komerciale. Duke qenë se, në përgjithësi prodhuesit e Armagnac janë prodhues të vegjël, në konturet e një biznesi familjar, konkurenca me kompanitë e mëdha, prodhuese të shumë emrave të famshëm të pijes Cognac, ka pamjen e një beteje të vështirë. Pra, fati i Armagnac është i përcaktuar nën hijen e Cognac-ut. Për fansat e Armagnac, kjo është një gjë e mirë, sepse, duke qenë jashtë vëmendjes së kompanive të mëdha, prodhuesit e Armagnac-ut i kanë vepruar ashtu si ata dinë dhe pëlqejnë, pa pasur mbi kokë presionin e kompanive të mëdha. Në këtë mënyrë i kanë  dhënë Armagnac- ut natyrë më artizanale sesa Cognac-u dhe me veçori nga njëri prodhues te tjetri, duke e bërë atë të veçantë. Prodhuesit përdorin Armagnac shumë të vjetëruar në përzierjet e tyre, për të arritur një rezultat fantastik.  Është koha që, admiruesit e Scotch dhe Bourbon Whisky të provojnë Armagnac-un.

"Vera e bën jetën më të lehtë, më pak të nxituar, me më pak tensione dhe me shumë tolerancë". - Benjamin Franklin

1 Comment

  • Ilir

    Shkrim shume elegant! Tema interesante pasi ve ne fokus nje brandy legjendar si armagnac…
    Besoj te kete vazhdimesi me me shume detaje rreth distilimit dhe vjeterimit te Armagnac vs Cognac…

Comments are closed.