Sushi: Roll Model-i im në jetë

Irma Kenaj
Sushi Chef

N

Nëse do më kishin thënë vite më parë që një ditë do të vendosja të lë profesionin tim të vërtetë për të hyrë në një rrugëtim të ri si ai i kuzhinës, vështirë se do ta kisha besuar. Por, ja ku jemi! Prej 8 vitesh tashmë, pasioni dhe profesioni im janë të ndërthurur në një. Ishte kurioziteti që më shtyu të kërkoja të mësoja dhe të kuptoja se si bëhet ushqimi im i preferuar. Dhe kështu nisi. Orë të gjata kërkimi online, biseda të gjata me miqtë që takoja dhe takime të ndryshme me sushi chef në Tiranë, që më bënë të kuptoja se kjo gjë po më jepi kënaqësi.

Dhe vendosa ta provoja. E gjetur përpara një sfide të re, por edhe të bukur, vendosa të filloja një punë të re si ndihmës kuzhiniere në sektorin e sushit. Asgjë nuk është e pamundur kur ti ke një disiplinë të mirë në kuzhinë dhe një etikë të jashtëzakonshme pune. Këto janë çelësi i suksesit në çdo profesion. Me të mësuar gjërat bazike të sushit, doja të eksperimentoja dhe të provoja gjëra të reja, shije të reja. Shumë shpejt do të ngrihesha në detyrë dhe do të ndryshoja punë derisa gjeta ambjentin e duhur për të shpalosur të gjithë kreativitetin tim.

Sot mund të them me vendosmëri dhe besim të plotë se produktet (sushi) që ju shërbej klientëve janë një provë e dashurisë së madhe që unë kam për profesionin tim. Siguria, cilësia, kënaqësia janë tre fjalët kyçe që mbizotërojnë tek komentet që klientët e mi kanë për produktet e mia. Klientët mbi gjithçka!