Të gjithë mund të gatuajmë, por jo të gjithë mund të jemi kuzhinierë

ZANI SHEHU
EXECUTIVE CHEF

M

Midis arkitekturës dhe kuzhinës, zgjodha të ndjek pasionin tim të gatimit kur i ndiqja njerëzit nga pas për të kuptuar se çfarë po gatuhej në atë tenxhere që trazonin me aq kuriozitet. Isha shumë kurioz në atë kohë, dhe kështu fillova. Edhe sot, mbaj këtë kuriozitet të gjallë, edhe pse gatuaj çdo ditë. Çdo person ka nevojë të ushqehet, por disa bëjnë këtë vetëm për të mbajtur urinë larg, ndërsa të tjerët për të shijuar dhe degustuar atë çfarë gatuan kuzhineri.

Unë kam kaluar shumë vite dhe përvoja në kuzhinë duke testuar, provuar dhe mësuar gjëra të reja. Kam punuar shumë për të gjetur lëndën e parë më të mirë të mundshme, sepse për mua, lënda e parë është gjysma më e rëndësishme e punës, dhe gjysma tjetër është eksperienca që unë sjell në atë produkt. Fillimisht, kur fillova kuzhinën, njerëzit nuk ishin kaq kritikë dhe nuk shkonin në restorante për të eksperimentuar, por tani po vijmë në një kohë kur gastronomia po ngrihet. Njerëzit janë më kritikë dhe shefat e kuzhinës duhet të jenë gjithmonë një hap para klientit për t'i befasuar ata. Ju lutem, merrni parasysh që kënaqësia e të ngrënës dhe të pirës arrihet me mund, por shumë njerëz preferojnë ta gëzojnë në restorante dhe të eksperientojnë gastronominë. Unë luftoj çdo ditë me stafin tim për të sjellur ushqimin ashtu si e kam menduar. Unë luftoj çdo ditë me furnitorët për të siguruar produktet që dëshiroj dhe me freskinë më të mirë të mundshme.

Unë luftoj çdo ditë për të shërbyer pjatën ashtu si e kam menduar për klientin. Ky është një stil jetese për mua, dhe pas një dite të gjatë dhe të lodhshme, nuk ka kënaqësi më të madhe se të dalësh jashtë në sallë pasi ke shërbyer pjatat e fundit dhe të shohësh sallën plot me njerëz të lumtur që shijojnë ushqimin dhe komentojnë shijen e tij. Ky moment më qetëson dhe më shton energji të reja për të filluar një ditë të re, me mendime të reja dhe gjithmonë me synimin për të bërë gjithçka më të mirë. Të gjithë mund të gatuajmë, por jo të gjithë mund të jemi kuzhinierë.