Çdo shije lë një gjurmë, e kështu gjurmët kthehen në kujtime!
ALDO MEHMETI
EXECUTIVE CHEF
Historia nisi me një pako miell, atëherë kur isha fëmijë, dhe siç e dijmë produkte të ndryshme përmbajnë në paketimin e tyre receta të ndryshme të cilat mund ti gatuash, kështu si fëmij kurjoz vendosa të provoj këto receta. As sot nuk e kam harruar ndjenjën që përjetova, gëzimin dhe çudinë nga ky zbulim që m'u duk i jashtëzakonshëm. Babai im kishte gatuar gjithnjë në shtëpi, i tërhequr edhe ai nga pasioni, por kush kishte parë makarona të freskëta apo biskota nga më ndjellëset! Të gjitha recetat në revistë ishin me bazë brumi, sepse reklamonin përdorimin e miellit, kështu që edhe provat e mia të para ishin biskotat, keku dhe makaronat e freskëta që më vonë zbulova se i kisha bërë vetëm në teori.
Dhe kështu ishte kontakti i parë me shijen që del nga duart e tua për tu kthyer në pasion e më pas edhe në profesion. Pas zhvendosjes në Itali aty fillova dhe studimet për Hoteleri Turizëm, në vëndin ku do kisha mundësinë të shikoja dhe mësoja aq shumë mbi këtë fushë. Pas disa eksperiencash në restorante me standart dhe me shefa kuzhine profesionalisht të arrirë, vendosa të kthehem në Shqipëri, sepse besoj dhe mendoj se më mirë se vëndi jot nuk do të bëhet asnjë vënd tjetër. Jam munduar dhe vazhdoj të promovoj produktet shqiptare, besoj në to, në shijen dhe potencialin e tyre. Çdo menu që krijoj apo ekzekutoj dëshiroj të ketë kombinime apo receta që kujtojnë pak të kaluarën, kujtojnë shijen e gjyshes dhe na dërgojnë larg në fëmijëri. Sot restorantet nuk janë një vënd ku ti vendos të shkosh sepse je i uritur, por ti shkon për një eksperiencë, dhe gjithmonë i mëshoj idesë dhe filozofisë se një drekë apo një darkë duhet të kthehet në një kujtim dhe kjo realizohet nëpërmjet shijimit, dhe çdo shije lë një gjurmë në çdo kujtim, e kështu gjurmët mblidhen e kthehen në kujtime. Çdo shefi kuzhine i ka rënë në supe një përgjegjësi e madhe për të dhënë eksperiencën më të mirë, e harrohen lehtësisht orët e panumëruara mbi tiganë, harrohen gjithë tentativat dhe provat për të shkuar në një pjatë finale, harrohet gjithë lodhja duke gjetur produktin lëndën bazë, të gjitha këto harrohen kur dëgjojmë një tavolinë që thonë: U kënaqëm sot, ju lumshin duart!
E pas gjithë lodhjes duhet të shtrydhim atë pikën e kreativitetit që lufton midis betejave që japim çdo ditë, më pëlqen të flas në shumës pasi mendoj se pa grupin tim të punës vetem nuk do bëja dot shumë gjëra. Njerëz që më besojnë mua dhe filozofisë sime, që i kam krah dhe më mbështesim, është shumë e rëndësishme në kuzhinë të ketë një frymë dhe energji pozitive, pasi e gjitha kjo reflekton në pjatë dhe në produktin final. E nëse vendos një ditë të bëhesh pjesë e kuzhinës nuk do të të them asnjëherë se është e lehtë, por duhet të dish se është puna më e bukur që mund të bësh.