Midis punës dhe pasionit!
Fation Tila / Sommelier
ëse do përmblidhja mbi 20 vite eksperiencë që kam në sektorin e restoracionit, fillimisht si barist, recepsionist, kamarier dhe në 10 vitet e fundit, si sommelier, këshilla e parë dhe më e rëndesishme mbi te cilën zhvillohen të gjitha të tjerat është: Me pasion!!! Duket si një "cliche" dhe pak utopike, ndërkohe që shumë të rinj afrohen në këtë profesion për një periudhë të shkurtër, sezonale, për të marrë një rrogë dhe nuk e shikojnë si afatgjatë, por mendoj që pasioni në këtë profesion duhet të jetë "karburanti" që mbi të gjitha indiciet motivuese nuk duhet të mungojë! Vështirësitë që ka ky sektor i kemi pak a shumë parasysh, sidomos në Shqipëri në këto vite tranzicioni. Një profesion deri dje shpesh herë i keq paguar, sprovues në energji dhe komunikim, me orare ndonjeherë te papërshtatshme për një jetë "normale" të themi dhe vështirësi të tjera që pak a shumë varen nga sektori specifik. Ndërkohë që të mikpresësh, të ushqesh dhe të akomodosh është ndonjëherë aq e thjeshtë dhe aq natyrale sa nuk mund të gabosh! Është e lidhur ngushtë me traditën tonë, me nevojën natyrale të çdokujt të dali dhe te shijojë një darkë ose te shkojë diku me pushime! Ateherë ne duhet të mendojmë që të realizosh një "mikpritje" perfekte për klientin tonë duhet që të kemi, pa kompromis: komunikimin e mirë, sjelljen etike, informacionin e mjaftueshëm, bonsensin, ndershmerinë, korrektësinë, kujdesin për specifikat dhe ndonjëherë "durimin" që plotesojnë elementët e nevojshëm për një "mirëqënie" të përgjithshme. Nëse duke plotësuar karakteristikat e mësipërme bëjme një shërbim nga të mirë, dinjitoz dhe deri në perfekt, pasioni është çelësi dhe karburanti i vërtetë! Ai i jep shpirt punës tonë, e mbush me buzëqeshje, me dëshirë për tu përkujdesur, na shtyn cdo ditë të përmirësohemi duke mësuar nga eksperienca, te specializohemi dhe të investojme frutin e punës tonë për tu bërë profesionist, na bën të ndjehemi mirë kur marrim komplimente dhe na jep nje vizion më të gjerë të projektuar në të ardhmen, duke mos u fokusuar vetëm tek e tashmja dhe aspekti ekonomik ose lodhja, që ndonjëherë nuk justifikohet nga pagesa. Pra "me pasion" që ky profesion te mos na lodhë por të na gratifikojë.